Një histori që i ka rrënjët larg…
Përvoja e Valdokos
Krejt vepra edukuese e Don Boskos mbështetet tek një ëndërr që Don Bosko pati parë që në moshën 9-vjeçare.
Ëndrra e Don Boskos
Don Bosko tregon:
“E pashë veten në një oborr të rrethuar me fëmijë që loznin e bënin zhurmë, rriheshin e shanin me fjalë të pista, fyenin edhe Zotin. U futa në mes të tyre me grushte e fjalë për t’i bërë të heshtin.
Në atë moment m’u shfaq një burrë madhështor që më tha: “Jo me dhunë, por me butësi e me dashuri do t’i sjellësh këta miq të tutë kah e mira”.
Ëndrra vazhdon me shfaqjen e një Zonje të mistershme, në të cilën Don Bosko njeh Zojën, e cila i tregon po ata fëmijë të kthyer në qengja duke i thënë: “Ja fusha jote ku duhet të punosh. Bëhu i përvujtë, i fortë dhe i shëndetshëm”.
Është një ftesë për të angazhuar të gjitha forcat në perspektivën e misionit duke përdorur arsyen e fenë që, së bashku me dashamirësinë, përbëjnë, shtyllat e sistemit preventiv.
Realizimi i kësaj ëndrre shënon krejt jetën e Don Boskos. Që në moshën 12 vjeçare lë shtëpinë e varfër, nënën, ato pak siguri që kishte dhe niset për të kërkuar një punë që t’i mundësonte mbijetesën. Në torbë pak ndërresa, dy libra, një copë bukë dhe në sy një shkëlqim, një ëndërr: t’i japë një shpresë gjithë atyre fëmijëve, të cilët pa mjete materiale e shpirtërore, jeta i merrte përpara pa mëshirë. Kështu në fillim Gjoni i vogël mbledh rreth vetes bashkëmoshatarë, u komunikon, jo vetëm miqësinë e vet, por dashurinë për Zotin. Më pas, në 1835, hyn në seminar për t’u bërë prift në shërbim të Kishës dhe të rinjve.
Në 1841, në Torino, shugurohet prift dhe po aty gjen fushën që Zoti i ka caktuar dhe mundësinë për të realizuar ëndrrën e vet. Me 8 dhjetor të po atij viti takon djalin e parë të oratorit që do të lindë. Një t ‘Falemi Mari ”plot me fe e thënë së bashku, vë gurin e themelit për të filluar misionin për të cilin Zoja e kishte përgatitur. Kështu rreth tij mblidhen qindra të rinj të tjerë të braktisur, që mbushnin rrugët e Torinos. Ai nuk u ofron atyre vetëm formim fetar, por një shtëpi që i mirëpret, një oborr ku të lozin, një shkollë ku të studiojnë dhe një Kishë ku të luten.
Bërthama e oratorit të Sh. Franceskut të Salezit, vepra e parë saleziane, do të jetë “ streha Pinardi”, e inauguruar në Pashkët e vitit 1846: një ndërtesë në Valdoko, lagjja më famëkeqe e Torinos. Brenda atyre mureve të ngushta, me 26 janar 1854, Don Bosko do të mirëpresë premtimet e një grupi të vogël të rinjsh të vendosur për të shpenzuar jetën e tyre në shërbim të fëmijëve dhe në misionin edukativ të priftit Torinez. Nga ky grusht i vogël njerëzish do të lindë Kongregata saleziane sot e përhapur dhe e njohur në tërë botën.