Një histori që i ka rrënjët larg…
Shenjtja Maria Domenica Mazzarello
Përvoja e Mornezes
Në të njëjtat vite kur Don Bosko po merrej me të rinjtë emigrantë në Torino, në një fshat të vogël të Monferratos në Morneze, një vajzë e thjeshtë, Maria Domenika Mazzarello, plot me entuziazëm e gëzim, ndihmonte në famullinë e saj në katekizëm për vajzat e fshatit dhe për nënat, dhe ishte për familjen e saj mbështetje me forcën fizike dhe me ndihmën ndër vreshtat që i ati punonte.
Një ditë, në moshën 23 vjeçare, kur tifoja po bënte kërdinë në fshatrat e Aleksandrisë shkon për të ndihmuar familjen e të ungjit ku të gjithë ishin të prekur nga epidemia dhe pasi i bëhet ndihmë secilit, preket nga sëmundja edhe ajo vetë. Shpëton mrekullisht, por kjo lëngatë ia ndryshon krejt jetën, pasi nuk mund të ishte më krahu i djathtë për familjen e saj. Fillon të kërkojë në lutje projektin e Zotit për të. Ideja për të mësuar një zanat: rrobaqepsinë, i vjen pikërisht pasi e ndjen me qartësi që misioni i saj ishte të edukonte vajzat. Nëpërmjet zanatit të rrobaqepëses kishte mundësi t’i edukonte, t’u rrinte afër, t’i njihte me Zotin.
Në jetën e saj, si në atë të Don Boskos, Zoja Ndihmëtare ka një rol të madh.
Në 1864 takon Don Boskon që kishte ardhur pikërisht në Morneze e më pas, po ai, i dërgon një rregullore asaj dhe vajzave të tjera që bashkëndanin të njëjtin zell për edukimin e Vajzave. Kështu në 1872 lindi Instituti i Bijave të Marisë Ndihmëtare i cili u përhap me shpejtësi. Në 1876 u aprovua Kushtetuta e Institutit të ri rregulltar.
Misioni i Bijave të Marisë Ndihmëtare është të promovojnë edukimin e gjithanshëm të të rinjve me stilin edukativ salezian. Bijat e Marisë Ndihmëtare ashtu si edhe etërit salezianë, shpejt pas themelimit, kapërcejnë kufijtë e Torinos për t’u përhapur në të gjithë botën.
“TY PO T’I BESOJ”:
Karizma e motrave saleziane
Ashtu si vepra edukuese e Don Boskos lind nga ëndrra e moshës 9-vjeçare, edhe misioni i Bijave të Marisë Ndihmëtare (Motrat Saleziane) lind nga një intuitë profetike e Maria Mazzarellos, që prej shkrimeve të kohës na tregohet kështu:
“Pikërisht në një pasdite kur po shëtiste në Borgoalto, e lodhur nga sëmundja dhe plot me pikëpyetje mbi të ardhmen sheh në vizion një ndërtesë që ngjasonte me një kolegj ku kishte shumë vajza. U ndal të shikonte: Çfarë po me shohin sytë? Këtu nuk ka pasur kurrë ndonjë pallat! Çfarë po ndodh? Dëgjoi një zë: “Ty po t’i besoj!”. Largohet me ngut që andej duke u munduar ta harrojë episodin, por ato vajza ishin gjithmonë aty sikur e thërrisnin, sidomos sa herë kalonte prapë asaj të përpjete”.