- Edukimi Katolik e sheh edukatorin/mësuesin si një person në ecje të vazhdueshme për t’u përsosur si njeri. Ai njëkohësisht është i bindur për misionin e vet edukativ. Ky mision, parashtron për të detyra morale që e nxisin drejt një formimi të gjithanshëm e të vazhdueshëm. Po ashtu misioni i mësuesit konsiston në të ndihmuarit nxënësit për të arritur një sintezë personale në dialog mes besimit dhe kulturës në mënyrë graduale (LC 64)
- Ai dallohet për angazhim serioz që të jetë përveçse profesionalisht i përgatitur, sidomos një prani edukative e një shembull i mishërimit të vlerave të vërteta.
- Në kontekstin tonë shqiptar mësuesi jo detyrimisht bashkëndan besimin katolik. Ajo që bashkëndan çdo mësues është vizioni i shkollës dhe misioni i saj edukues dhe shoqërues i brezit të ri, pra bashkëndan projektin edukativ të saj. Ky projekt pedagogjik duhet gjithmonë të jetë i pranuar dhe i qartë që të përfshijë e ndërthurë arritjet akademike, sjelljet morale dhe dimensionin fetar. (DR 110).
- Edukatori duke qenë një njeri i hapur ndaj transcendentes, ai është gjithmonë në kërkim të vlerave të larta shpirtërore. Ai jeton misionin e vet në dialog të hapur dhe të përzemërt me nxënësit të cilët gjejnë tek ai jo një profesionist, por një njeri që e bën të nxënit një proces jetësor, duke e afruar me jetën.