Anëtare e Komisionit Kombëtar 

Hana Pal Kqira, motër Françeskane e Zojës së Papërlyer  nga 1997

Lindur: Në Prizren me 26 Janar 1975

Kam lindur në një familje të krishterë dhe praktikante në famullinë e Velezhës afër Prizrenit. Në familje jemi 7 fëmijë, prej të cilëve 4 vajza dhe 3 djem. Jam e fundit ndër shtatë fëmijët. Shkollën tetëvjeçare e bëra në Velezhë. Në fund të klasës së tetë, ndërsa po përgatitesha edhe për sakramentin e krezmimit, lindi thirrja ime nga shembulli dhe dëshmia e motrave që ishin në famulli.

Pas përfundimit të klasës së tetë, u kam shprehur dëshirën prindërve për thirrjen në jetën e kushtuar. Meqë isha fëmija më i vogël dhe me moshë shumë të re dhe kisha edhe një motër të kushtuar, nëna ime e kishte të vështirë të më përkrahte në këtë zgjedhje. Por pas përpjekjeve të mia dhe bisedimeve mes prindërve, famullitarit dhe motrave, në Tetor të vitit 1989, shkova në Mal të Zi dhe vazhdova njohjen time me jetën dhe veprimtarinë e Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer. Shumica e Motrave në Mal të Zi punojnë si infermiere në spitale dhe unë vazhdova shkollën e mesme të Infermierisë për katër vite në Dubrovnik në Kroaci, kohë në të cilën filloi edhe lufta e ish Jugosllavisë. Ishin vite shumë të vështira për të gjithë popullin e sidomos për mua që gjendesha në një konvikt larg bashkësisë dhe larg familjes sime. Kam vazhduar shkollën me shumë sakrifica dhe vështirësi në vitet 1990-1994, ku qyteti i Dubrovnikut ishte i bombarduar nga ushtria Jugosllave dhe konvikti ynë ishte krejtësisht i rrënuar. Në atë kohë nuk kishim asnjë kontakt me familjarët dhe të afërmit tanë, por kishim vetëm shpresën në Zotin dhe pritnim që të përfundonte lufta dhe ne të riktheheshim në familjet tona.

Pasi kam bërë praktikën 6 mujore në spitalin e Kotorrit, kam vazhduar noviciatin për dy vite dhe më pas jam punësuar në Spitalin e Cetinjes dhe kam punuar për 3 vite. Pas tre viteve punë, eproret më kanë kërkuar që të vazhdoj studimet, të cilat i fillova në Romë nga viti 2000-2004 në Universitetin Salesiana në Fakultetin e Shkencave të Edukimit. Pas përfundimit të Universitetit kam bërë praktikë në konviktin e Shtëpisë Amë në Grac të Austrisë ku kam frekuentuar edhe kursin e gjuhës gjermane për 4 muaj.

Pastaj jam rikthyer në vendlindje dhe jam punësuar si drejtoreshë e konviktit ” Loyola” pranë Gjimnazit Klasik të Jezuitëve në Prizren. Atje kam punuar 5 vite dhe pastaj në vitin 2010 jam transferuar në Shkollën 9-vjeçare jopublike ” Atë Shtjefën Gjeçovi” Lezhë si drejtoreshë e shkollës për 6 vite.

Përveç studimeve dhe angazhimeve tjera puna ime dhe pasioni gjithmonë ka qenë të ndihmoj   e këshilloj  personat që kan nevojë si në familje, shkollë dhe shoqëri. Puna me fëmijet dhe të rinjtë mbetet misioni im i vazhdueshëm por gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë me familjen sepse aty është djepi ku fëmija merr themelet e para të edukimit dhe mbetet vendi me i dashur për çdo njeri.

Përvoja në Edukim

Edukuese dhe drejtuese e institucioneve edukative prej 2005.

Formim Bazë

  • Diplomuar në  Infermieri në Dubrovnik- Kroaci në vitin 1994
  • Master në Universitetin Salesianum në Romë, Shkencat e Edukimit, Në degën e Pedagogjisë për formimin e thirrjeve, në vitin 2004

Moto: Forcat e bashkuara munden më mirë dhe më shumë kur janë të bashkuara në Zotin”

( Themeluesja Nëna Franciska)