Koordinatorja Kombëtare Teuta Buka

Teuta Zef Buka,

Motër Saleziane, Bijë e Marisë Ndihmëtare që prej 1996

Kam lindur në Shkodër më 9 maj 1972 në një familje të varfër në Shkodër, një familje e krishterë dhe e persekutuar. Jam rritur në një ambient të qetë familjar plot me vlera dhe paqe, gjithmonë me vëmendje e përkujdesje për më të varfrit. Një bërthamë e vogël familjare, nëna mësuese e përkushtuar, babai murator.

Jam pagëzuar që e sapolindur në fshehtësi, nga regjimi, prej tim eti. Kemi përjetuar shumë momente të vështira si familje dhe kemi gjetur përherë forcën në fenë e Krishtit dhe në lutjen e përbashkët por edhe nën shoqërimin e atë Pjetër Mëshkallës, që vizitonte e ngushëllonte familjen tonë edhe duke rrezikuar të kapet nga komunistët. Kam vazhduar universitetin e Tiranës për matematikë, në pragun e rënies së komunizmit, 1990, i cili nuk i lejoi motrat e mia më të mëdha të studionin për arsye se ishim familje e persekutuar. Kur në vitin 1991 njoha karizmën saleziane, zbulova se Zoti nuk i heq asgjë rinisë sime përkundrazi dhe gjeta guximin për t’iu përgjigjur thirrjes ë Tij për ta ndjekur në Kongregatën e motrave Saleziane (të don Boskos).

Filloi një aventurë e re për mua, që ka pasuruar jetën time përditë. Periudhën e formimit fillestar si rregulltare (motër) e kreva në Romë, duke frekuentuar edhe universitetin e shën Gjonit në Lateran. Pas kushteve të para në 1996, m’u kërkua të vazhdoj universitetin për gjuhë të huaja në Universitetin e Tiranës, në vitin në 2000  në gjuhën Italiane. Më pas studiova edhe dy vite të tjera në Universitetin Auxilium e në vitin në 2002 u diplomova në Përshpirtëri Saleziane, po në Romë. Kështu njëri pas tjetrit erdhën shumë angazhime të tjera, të gjitha të lidhura me edukimin formal dhe informal të të rinjve. Dhe më pas kam ndjekur formime profesionale për të konsoliduar aftësitë e mia në drejtim në qendrën CDE Tiranë në vitin 2012 Shkolla e leadershipit në arsim. E së fundmi dhe në Poloni Varshavë në Qendrën Arrupe, trajnimin dy vjeçar për Leadership në edukimin katolik.

Përvoja ime në edukim nis që prej vitit 1992 dhe e impenjuar si drejtuese në edukim që prej vitit 2004.

Përveç studimeve e azhurnimeve të vazhdueshme, ajo që ka qenë për mua përvoja më domethënëse është kontakti i përditshëm me fëmijë e të rinj të moshave të ndryshme, kjo ka qenë dhe është shkolla më e mirë që kam bërë. Entuziazmi i tyre, kërkesat e tyre, frikërat e tyre, inteligjenca e tyre, më kanë nxitur përherë të dal nga vetja, të shikoj përtej e sigurt se Zoti ka shënuar në ta ecjen time të shenjtërisë. Duke i shërbyer (edukuar) atyre i shërbej vetë Atij. Edhe angazhimi im në Komisionin për Edukimin Katolik, është pjesë e këtij shërbimi dhe ka ardhur si vazhdë e pasionit edukativ që është frymëzimi i familjes sime rregulltare.

Moto: “Një dëshirë të vetme kam t’ju shoh të lumtur tani dhe në amshim.” Don Bosko