Urimet per fillimin e vitit Shkollor nga Imzot Massafra

Shtator 2019
Të dashur mësues, prindër e nxënës,

Ju përcjell përshëndetjet e mija më të ngrohta për fillimin e këtij vitit të ri shkollor!

Çdo fillim nuk është ekskluzivisht vetëm një “fillim”, por etapë në një rrugëtim që zgjat sa gjithë ekzistenca jonë, ndaj, duhet jetuar në logjikën e vazhdimësisë. Për më tepër nëse ne, si të Krishterë të vërtetë, e konsiderojmë ekzistencën tonë të shkruar në Projektin e Zotit i cili na do që prej amshimit, nuk mund të mos konsiderohemi në logjikën e vazhdimësisë.

Ajo që po të fillojmë sot është në fakt vazhda e punës për ndërtimin e personit tonë nëpërmjet rrugëtimeve formuese të cilat na hapin ndaj përvetësimit të njohurive, na vendosin në gjurmën e historisë së atyre që na kanë paraprirë e që na bën ne të jemi ato që sot jemi, na aftësojnë në zhvillimin e të menduarit autonom pa anashkaluar reflektimet e mendimtarëve të mëdhenj.

Por nuk duhet të harrojmë, që angazhimi formues nuk duhet të kufizohet vetëm me kategorinë e nxënësve të shkollave tona katolike, pasi ky angazhim zhvillohet mbi idenë e bashkimit që përshkon të gjitha aktivitetet tona si besimtarë. Ndaj mësuesit nuk rreshtin kurrë së qeni nxënës, pra persona në formim të vazhdueshëm pikërisht si nxënësit e tyre, prindërit nuk rreshtin së shoqëruari fëmijët gjatë rrugës së formimit të tyre në bashkëpunim me mësuesit.

Këtë vit, në mënyrë të veçantë, ky bashkim qëllimesh dhe përpjekjesh ju kërkohet me intensitet më të madh nga Projekti që do të ndjekim dhe që titullohet “UNË MUNDEM”.

Në këtë Projekt ne duam të stimulojmë nxënësit tanë që të bëhen aktorë kryesorë dhe jo spektatorë të historisë së tyre dhe asaj të botës në të cilën jetojmë. Në të njëjtën kohë, të rriturve u kërkohet të jenë në gjendje të dëgjojnë kërkesat që vijnë nga brezat e rinj, të cilët po kërkojnë një të ardhme shprese që vetëm respektimi i vlerave mund ta japë.

Prandaj shpresoj që rrugëtimi që do të rimarrim të jetë me të vërtetë i frytshëm për të gjithë dhe ti dhurojë shoqërisë sonë të rinj, burra dhe gra të pasur me humanizëm, kulturë, mençuri dhe vlera të krishtera për një Kishë të gjallë dhe plotë jetë, “kripë e tokës dhe dritë e botës” dhe për një Shqipëri më të mirë.

Vit të mbarë shkollor 2019-2020!

 

+ ANGELO MASSAFRA

OFM Arqipeshkëv Metropolit Shkodër-Pult

President i Komisionit Kombëtar për Edukimin Katolik Shqiptar